TikTok në Shqipëri: Një ndalim që nuk funksionoi
Më 13 mars 2025, qeveria shqiptare shpalli ndalimin për një vit të aksesit në TikTok, duke përmendur shqetësime për sigurinë kibernetike dhe ndikimin e përmbajtjeve të dëmshme tek të rinjtë. Por tre muaj më pas, të dhënat tregojnë qartë: masa nuk ka dhënë efektin e synuar.

Përdoruesit shqiptarë kanë gjetur mënyra për të anashkaluar ndalimin, kryesisht përmes rrjeteve private virtuale (VPN). Sipas të dhënave nga ByteDance, në fund të vitit 2024, TikTok kishte 1.53 milionë përdorues mbi moshën 18 vjeç në një vend me 2.4 milionë banorë – një tregues i qartë i penetrimit të thellë të platformës në shoqëri.

Analizat e Pikasa Analytics konfirmojnë se ndalimi ka pasur efekt minimal në sjelljen e përdoruesve. Numri i postimeve ka rënë vetëm me 3.3%, ndërsa shikimet e videove janë rritur me 14% krahasuar me javën para ndalimit. Paralelisht, përdorimi i VPN-ve në Shqipëri ka shpërthyer: ProtonVPN raportoi një rritje 1200% në ditën e parë të ndalimit. Aktualisht, aplikacionet VPN renditen të tretat më të shkarkuara në App Store në Shqipëri, pas ChatGPT dhe Temu.

Përmbajtja nuk ka munguar. Influencuesja Keishliii ka ruajtur një prani të fortë me mbi 134,000 ndjekës dhe një angazhim mesatar prej 5.8%, ndërsa videot e saj shikohen mesatarisht nga mbi 100 mijë persona. Ndërkohë, Hatixhe Brika, e njohur si “Hati”, ka shënuar një rritje prej 30% të ndjekësve që nga fillimi i vitit, duke arritur në mbi 512,000 ndjekës dhe një total prej 32 milionë pëlqimesh.

Sipas ekspertit të teknologjisë Tomi Kallanxhi, ndalimi i TikTok ka qenë një demonstrim klasik i dështimit të censurës në epokën dixhitale. “Në vend që të frenohej përdorimi, qytetarët u shtynë drejt eksplorimit të mjeteve teknologjike si VPN-të,” thotë ai. “Në një farë mënyre, ndalimi u shndërrua në një katalizator për edukim dixhital – shumë të rinj mësuan si të manipulojnë parametrat e rrjetit dhe të mbrojnë identitetin e tyre online.”

Kallanxhi e sheh popullaritetin e TikTok si rezultat të një algoritmi që është “jashtëzakonisht i personalizuar dhe bindës,” i aftë të përshtatë përmbajtjen sipas interesave individuale. Sipas tij, TikTok po e zëvendëson YouTube te brezi Z: “Rreth 67% e të rinjve në Shqipëri e përdorin më shpesh TikTok sesa YouTube. Kjo nuk është një rrezik – është një mundësi. Në vend të ndalimeve që nuk funksionojnë, duhet të mendojmë si të kanalizojmë vëmendjen e tyre drejt përmbajtjes me vlerë.”

Por pse TikTok vazhdon të jetë kaq dominant? Sepse nuk është më vetëm një aplikacion për video të shkurtra. Është një mjet për informim, argëtim, biznes dhe aktivizëm. Shpejtësia e përhapjes së përmbajtjes dhe fuqia e algoritmit e kanë shndërruar në një hapësirë të rëndësishme për artistë, krijues përmbajtjesh, biznese të vogla dhe, së fundmi, edhe për opozitën politike. Kjo e fundit e ka kritikuar ndalimin si një vendim me prapavijë politike, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.

Në thelb, ndalimi i TikTok në Shqipëri ka zbuluar më shumë për paaftësinë e kufizimeve teknike sesa për rreziqet e platformës. Dhe ndërkohë që qeveritë përpiqen të kontrollojnë hapësirat dixhitale, përdoruesit tregojnë gjithnjë e më shumë se kontrolli real ndodhet në gishtat e tyre – dhe në rrjetet që ata zgjedhin të përdorin.

 

What's your reaction?


You may also like

Comments

https://thetechnocast.com/assets/images/user-avatar-s.jpg

0 comment

Write the first comment for this!

Facebook Conversations