“Numri i ndjekësve nuk ka më peshë, virali e fiton lojën”
Flet Tomi Kallanxhi, themelues i agjencisë “Big Media Expert”

Marketingu nga influencerët po rritet ndjeshëm në Shqipëri, me buxhete që rriten çdo vit dhe me fokus gjithnjë e më të madh te krijuesit e përmbajtjes autentike.

Sipas drejtuesit të “Big Media Expert”, numri i ndjekësve nuk është më vendimtar, një postim viral mund të tejkalojë shumëfish audiencën ekzistuese.

Tomi Kallanxhi thotë se sektorët kryesorë që përdorin këtë formë marketingu janë fashion & retail, kujdesi personal dhe elektronika, ndërsa trendet e reja përfshijnë kalimin drejt YouTube dhe bashkëpunimet me televizionet tradicionale.

Sipas tij, një influencer me 50–100 mijë ndjekës mund të paguhet rreth 1,500 euro për një Reel, ndërsa personazhet publike arrijnë kontrata gjashtëmujore ose vjetore me pagesa që mund të shkojnë deri në 5,000 euro në muaj.

 Si ka qenë tendenca e marketingut nga influencerët vitet e fundit?

Bizneset po shpenzojnë gjithnjë e më shumë para, ndërsa buxhetet për marketing në kanalet dixhitale janë rritur ndjeshëm, me rritje dyshifrore nga viti në vit.

Ky lloj marketingu po konverton dhe kjo është një nga arsyet kryesore të kësaj rritjeje.

Bizneset kanë rritur ndjeshëm investimet në marketingun dixhital, me rritje dyshifrore të buxheteve nga viti në vit. Një nga faktorët kryesorë që ka nxitur këtë prirje është efikasiteti i marketingut nëpërmjet influencerëve, i cili ka demonstruar shkallë të lartë konvertimi, veçanërisht në sektorin e e-commerce.

Në krahasim me format tradicionale të marketingut dixhital, si reklamimi me banera, interesimi është zhvendosur dukshëm drejt bashkëpunimeve me influencerë, të cilat ofrojnë një qasje më autentike dhe më të personalizuar tek audienca.

Për më tepër, pritet që avancimet teknologjike, si integrimi i gjuhës shqipe në platformat e Google Ads dhe aktivizimi i reklamave për krijuesit shqiptarë në YouTube, të hapin mundësi të reja për zgjerimin e këtij tregu.

Në aspektin financiar, jo vetëm që buxhetet e posaçme për këtë formë marketingu janë rritur, por edhe të ardhurat e vetë influencerëve kanë shënuar rritje të dukshme.

Më e rëndësishmja, rezultatet tregojnë se investimi është i justifikuar sepse ka feedback real dhe të matshëm nga fushatat e realizuara.

 

A ka ndonjë tipar specifik që ka ndryshuar në tregun e influencerëve? Një preferencë specifike apo një trend i momentit?

Është vënë re një përqafim më i madh i krijuesve të përmbajtjes (content creators) krahasuar me figurat thjesht publike. Audienca sot kërkon përmbajtje sa më reale, të prekshme dhe që krijon lidhje emocionale me ta.

Në këtë kontekst, numri i ndjekësve nuk ka më të njëjtën rëndësi si më parë. Qoftë me 2 mijë apo 20 mijë ndjekës, nëse një krijues përmbajtjeje realizon një postim viral, informues ose të dobishëm, ai mund të arrijë një “reach” shumë më të lartë sesa numri i ndjekësve të tij, madje shpesh edhe më të madh se një influencer me 50 mijë ndjekës.

Megjithatë, për një influencer me mbi 100 mijë ndjekës, bashkëpunimi nuk përfshin vetëm përmbajtjen, por edhe imazhin personal të tij, gjë që ndryshon dinamikën e menaxhimit të buxhetit.

Në përgjithësi, tregu është në rritje. Edhe pse një pjesë e shqiptarëve mendojnë se nuk ndikohet nga influencerët, statistikat tregojnë të kundërtën.

 

A ka ndonjë segment biznesi që përdor më shumë marketingun dixhital nëpërmjet influencerëvese sa të tjerë?

Padyshim, sektori i fashion-it dhe retail-it në tërësi është përdoruesi më i madh i kësaj forme marketingu. Edhe sektori i elektronikës ka potencial të madh për zhvillim, megjithatë numri i krijuesve të përmbajtjes meshkuj është ende i kufizuar.

Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e tregut i përket sektorit të kujdesit personal dhe mirëqenies.

Një trend i ri që po shfaqet është kalimi i influencerëve të rrjeteve sociale drejt YouTube, ku ata po shohin mundësi më të mëdha përfitimi dhe shifra më të mira monetizimi.

Një tjetër trend është interesi i televizioneve tradicionale për të ftuar influencerë me numër të konsiderueshëm ndjekësish. Kjo përbën një ndryshim në strukturën e mëparshme, pasi në këto raste, influenceri nuk shihet vetëm si opinion-maker, por edhe si një “karrem” për të tërhequr shikues, veçanërisht nga brezi Gen Z.

 

Si variojnë pagesat, a kemi arritur një standardizim tregu?

Siç u përmend më lart, pagesa e influencerëve varet jo vetëm nga numri i ndjekësve, por edhe nga reach-i që ata arrijnë. Kjo është ajo që bën diferencën. Një influencer me 50–100 mijë ndjekës, për një Reel mund të paguhet rreth 1,500 euro.

Këtu nuk bëhet fjalë për personazhe publike, por për krijues përmbajtjeje në rrjetet sociale. Nëse shërbimi përfshihet si paketë së bashku me Story, ndjekje të një plani të plotë reklamimi etj., çmimi rritet.

Vetëm një Story mund të kushtojë 200–250 euro, në varësi të segmentit të audiencës.

Për shembull, nëse audienca e influencerit përbëhet kryesisht nga Gen Z, çmimet zakonisht janë pak më të ulëta se për ata që ndikojnë te Millennials, të cilët shihen si audiencë me fuqi më të lartë blerëse.

Megjithatë, shifrat mund të kapërcejnë shumë më lart. Personazhet publike shpesh lidhin kontrata të rregullta mujore, gjashtëmujore, madje edhe vjetore.

Një influencer me rreth 1 milion ndjekës mund të ketë një kontratë gjashtëmujore me pagesë 5,000 euro në muaj.

 

Në terma praktikë, kur flasim për buxhetet e reklamave që qarkullojnë në treg, sa për qind shkon zakonisht për influencuesit? A ka një shifër orientuese që ju shihni në punën tuaj?

 

Në Shqipëri, pjesa e buxheteve të reklamave që shkon tek influencuesit ende nuk është aq e madhe sa në tregjet e zhvilluara, por është në rritje të vazhdueshme.

Nga përvoja jonë, mund të flasim për një mesatare 20-35 për qind të buxhetit total të marketingut që kompanitë e dedikojnë për këtë kanal, ndërsa në disa sektorë, si moda, kozmetika, kjo përqindje mund të shkojë edhe më lart.

Nuk ka ende një standard fiks, pasi shumë biznese ende e shohin si terren për t’u testuar.

 

Si matet realisht suksesi i një fushate me influencues në Shqipëri? A kanë bizneset pritshmëri reale për konvertim në shitje apo mjaftohen me ekspozimin?

Matja e suksesit të një fushate me influencues është gjithmonë një kombinim mes metrikave të dukshme dhe ndikimit real në shitje.

Bizneset e reja ose ato që kërkojnë rritje të shpejtë zakonisht janë më të fokusuara tek ekspozimi dhe ndërgjegjësimi për markën, pra numri i shikimeve, klikimeve apo përfshirjes.

Ndërsa markat e konsoliduara fillojnë të vendosin më shumë theks te ROI, pra sa klientë dhe shitje konkrete gjeneron bashkëpunimi.

Në Shqipëri, shumica e bizneseve ende nuk kanë një sistem të plotë për të matur konvertimin direkt, ndaj shpesh e vlerësojnë suksesin mbi rritjen e ndërveprimit me audiencën.

 

 

 

 

 

 

 

What's your reaction?


You may also like

Comments

https://thetechnocast.com/assets/images/user-avatar-s.jpg

0 comment

Write the first comment for this!

Facebook Conversations