views
Tregu i influencers në Shqipëri është i stabilizuar dhe në rritje. Investimet në këtë sektor kanë kthime pozitive, duke treguar një feedback të lartë nga tregu.
Sipas Tomi Kallanxhi, influencuesit më aktivë janë kryesisht në Instagram, i cili preferohet nga shumica e kompanive.
Megjithatë, TikTok po fiton terren sidomos te të rinjtë, ku gjenerata Z (nën 28 vjeç) është më aktive.
Instagram dominon te brezi i millennials. Ai shton se, fushatat që zhvillojnë, targetojnë grupe të miksuara ose sipas interesit të kompanive.
Si e shikoni tregun e influencers në Shqipëri?
Tregu duket i stabilizuar, madje është në rritje dhe ka pasur feedback të lartë, që do të thotë se ato para që investojnë, kthehen mbrapsht në një mënyrë apo tjetër.
Cilat janë trendet e momentit?
Influencuesit janë kryesisht në Instagram dhe që kompanitë këtë rrjet social preferojnë në shumicën e rasteve, por nuk mbeten pas as influencuesit në TikTok, ku aty është vënë re se ka më shumë të rinj që prodhojnë përmbajtje se sa në Instagram.
Mund të themi që gjenerata Z përdorin kryesisht në TikTok, pra të rinjtë nën 28 vjeç. Instagram ka mbledhur brezin e millennials.
Megjithatë, kur bëjmë fushata, targetojmë brezat të miksuar ose sipas interesit të kompanisë apo një brandi të caktuar.
Sa e lehtë është për një kompani të masë punën nëpërmjet një influencuesi?
Nuk është e lehtë, sepse në shumicën e rasteve, kompanitë i referohen suksesit vetëm në kontekst shitjeje, kundrejt pagesës apo buxhetit që çojnë për influencuesit.
Por duhet parë më gjerë: kthimi për ndërgjegjësimin, për trafikun dhe të gjithë hapat që ndërtojnë reputacionin në treg. E fundit duhet të jetë shitja.
Si janë pagesat për influencers?
Ata kategorizohen me grupe: mikroinfluencers, nën 10 mijë ndjekës rreth 100 euro; ata mes 10 mijë dhe 50 mijë ndjekës zakonisht variojnë pagesa 200 – 400 euro, ndërsa makroinfluencuesit mbi 50 mijë deri në 100 mijë ndjekës, rreth 600 euro.
Sa u përket profileve 100 mijë ndjekës e lart, nis 700-1700 euro.
Janë në përgjithësi me paketa: story, post dhe reel. Nëse ndërthuren postime në Instagram e TikTok, shifrat janë më të larta se sa 2000 euro.
A është numri i ndjekësve përcaktues i vendosjes së çmimeve por edhe i suksesit të një fushate të caktuar?
Ne kemi hasur edhe pagesa më të larta se ata që citova më lart. Shifrat e sipërpërmendura janë si një dysheme përcaktuese të përdorura vitet e fundit.
Megjithatë, suksesi nuk qëndron te zerot e ndjekësve, por që një fushatë të jetë e suksesshme ka disa komponentë: audienca që ka, profili a janë vetëm influencues apo edhe opinion makers (opinionbërës) siç i quajmë ne, reach që kanë për çdo foto, postim që bëjnë, kreativiteti që kanë, mënyra se si realizojnë story telling etj. Kompanitë duhet të kuptojnë se influencuesit rrisin audiencën për të ardhmen.
Agjencitë e marketingut dixhital duhet të kuptojnë që vlerësohet fokusi që influenceri ka dhe për cilën audiencë ata flasin, cilët janë ndjekësit e tyre.
Si e shikoni të ardhmen, a do të jetë Instagram e TikTok një flluskë dhe si rrjedhojë, edhe profesionet e lindura me to?
Nuk e besoj, audiencat po piqen, po formësohen. Njerëzit po qëndrojnë gjithnjë e më shumë në rrjete sociale, po blejnë gjithnjë e më shumë online.
Reagojnë më pak ndaj një postimi, por konvergojnë më shumë, blejnë më shumë.
Cili është roli i agjencive të marketingut në momentin që bëjnë menaxhimin e influencers? Dhe a është e vërtetë që ka një bum hapjesh agjencish në këtë drejtim për shkak të trendit të momentit?
Si çdo biznes në sektorë të ndryshëm, kur shihen mundësi, hapen.
Por gjithashtu po shohim edhe mbyllje të shumta. Roli i një agjencie me përvojë ka një plan pune të mirëmenduar: njihemi me influencerat në treg, njohim audiencat dhe njohim edhe bizneset nga ana tjetër.
Veprojmë si një ndërlidhje mes tyre dhe puna jonë është nga A-Zh, edhe script-in që influencer duhet të thotë.
Një punë e plotë marketingu në grup. Kur njihen influencer përpara apo në punë të tjera, ne e dimë mirë se çfarë kërkon të dëgjojë audienca e çfarë fjalësh duhet të vendosim në gojën e një influenceri.
Kjo është pikë kyçe që çon në rritjen e emrit të një biznesi e deri të shitjet. Gjithashtu merremi edhe me përpunimin e të dhënave pas.
A ka sektori informalitet?
Vazhdon të ketë informalitet. Madje ndryshimet që parashikoheshin për taksimin e profesioneve të lira patën efekt negativ në treg pasi një pjesë e mirë e influencer mbyllën NIPT-et.
Madje edhe një pjesë e agjencive të vogla të marketingut dixhital.
Pati një hezitim që ishte në dëmin e të gjithë palëve, duke përfshirë edhe kompanitë që duan të marketojnë përmes një influencesi, të cilët presin ta zbresin si shpenzim.
Comments
0 comment