Neuralink ka nisur rekrutimin e njerëzve për të filluar testimin e çipit

Kompania e teknologjisë së ndërfaqes nervore e Elon Musk, Neuralink po rekruton kandidatë për testet e para klinike njerëzore.

Neuralink tha në një njoftim të martën se studimi do të vlerësonte sigurinë e implanteve të tyre dhe robotëve kirurgjikalë.

Kompania tha se qëllimi i tyre fillestar me testimin “është t’u japë njerëzve mundësinë për të kontrolluar kursorin ose tastierën e kompjuterit duke përdorur vetëm mendimet e tyre”.

Neuralink shtoi se testimi synohet të bëhet tek njerëzit që kanë kuadriplegji për shkak të një dëmtimi të palcës kurrizore të qafës ose sklerozës anësore amiotrofike (ALS). ALS është një sëmundje neuromuskulare që shkatërron në mënyrë progresive sistemin nervor dhe pengon kontrollin e muskujve.
Neuralink mori miratimin nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) në muajin maj për të nisur testimin tek njerëzit. Deri më tani, kompania ka kryer vetëm teste në kafshë tek derrat dhe majmunët.

Në dhjetor të vitit 2022, Reuters raportoi se Neuralink është nën hetim federal për abuzimin e mirëqenies së kafshëve. Rreth 1,500 kafshë – duke përfshirë dele, derra dhe majmunë – janë vrarë që nga fillimi i testimit në vitin 2018, sipas Reuters.