I ra telefoni në ujë teksa po bënte selfie, zyrtari zbraz rezervuarin për ta gjetur. Pezullohet nga detyra

Gazeta “The Times of India” raportoi se një zyrtar Indian, konkretisht inspektori i ushqimit Rajesh Vishwas i ka rënë telefoni në digën Kherkatta ndërsa po bënte një selfie dhe siç duket kjo gjë e ka shqetësuar aq shumë sa ka dhënë urdhër për të zbrazur një rezervuar të madh.

Inspektori Vishwas u kërkoi zhytësve të gjenin telefonin, duke pretenduar se ai përmbante të dhëna të ndjeshme qeveritare. Kur ata nuk po e gjenin ai kërkoi që të kullohej i gjithë rezervuari. 

Më shumë se dy milionë litra ujë u pompuan gjatë tre ditëve nga rezervuari në mënyrë që të gjendej celulari. 

Uji i zbrazur nga diga do të mjaftonte për të ujitur të paktën 1500 hektarë tokë, raportojnë mediat lokale.

Lidhur me këtë inspektori Vishwas reagoi duke u thënë gazetarëve se uji ishte i papërdorshëm për ujitje dhe ai kishte marrë leje nga një zyrtar i lartë për të kulluar rezervuarin.

Autoritetet e pezulluan zotin Vishwas pasi ai u kritikua gjerësisht për shpërdorim të burimeve ujore.

Kujtojmë se India është një nga vendet më të stresuara nga uji në botë dhe temperaturat ekstreme kanë çuar në mungesë të madhe uji, duke shkaktuar humbje të të korrave, zjarre në pyje dhe ndërprerje të energjisë elektrike.