Miliarderi ka bërë me dije se një pajisje wireless e krijuar nga kompania e tij e çipeve të trurit Neuralink do të fillojë testimin tek njerëzit brenda 6 muajsh.
“Reuters” raporton se vitet e fundit, Neuralink ka kryer teste te kafshët pasi nevojitet një miratim nga rregullorja e SHBA-ve për të kaluar te njerëzit. Ndërkohë kompania po zhvillon çipe për trurin që sipas saj mund të ndihmojë pacientët apo personat me aftësi të veçanta të lëvizin dhe komunikojnë sërish.
Musk përgjatë deklaratës së tij u shpreh: “Kemi punuar shumë që të jemi gati për njeriun tonë të parë dhe duam që të jemi shumë të kujdesshëm dhe të sigurt se do të funksionojë përpara se ta implementojmë, por besoj se kemi dorëzuar pjesën më të madhe të punës sonë në FDA dhe mendoj se brenda 6 muajsh do të mund të kemi Neuralink-un tonë të parë te një njeri”.
Kujtojmë se prezantimi i fundit nga Neuralink i përket vitit 2021, ku një majmun mund të luante një lojë kompjuterike falë çipit në tru.