Microsoft zgjat mbështetjen teknologjike falas për Ukrainën deri në vitin 2023!

Më shumë se 400 milionë dollarë ndihmë që nga fillimi i luftës

Ditën e sotme Microsoft Corp (MSFT.O) ka vendosur të zgjasë mbështetjen teknologjike për Ukrainën pa pagesë deri në vitin 2023 ndërsa pushtimi rus vijon.

Microsoft tha se do të ofrojë ndihmë shtesë teknologjike prej afro 100 milionë dollarë, duke e çuar mbështetjen e saj totale për Ukrainën në më shumë se 400 milionë dollarë që nga fillimi i luftës në shkurt.

“Microsoft do të kujdeset që agjencitë qeveritare, infrastruktura kritike dhe sektorë të tjerë në Ukrainë të vazhdojnë të drejtojnë infrastrukturën e tyre digjitale dhe t'u shërbejnë qytetarëve përmes Microsoft Cloud" -bëri me dije Presidenti i Microsoft Corp Brad Smith në një postim në blog.

Ukraina ka qenë gjithashtu objektiv i sulmeve të shumta kibernetike nga Rusia që nga fillimi i konfliktit në fund të shkurtit, sipas studiuesve perëndimorë të sigurisë dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë.

Një numër kompanish në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut janë mobilizuar për të ofruar ndihmë për autoritetet dhe popullin ukrainas. Më herët në qershor, Microsoft tha gjithashtu se po bënte shkurtime të konsiderueshme në biznesin e tij në Rusi, duke iu bashkuar listës së kompanive që kishin reduktuar ekspozimin e tyre ose ishin tërhequr nga vendi në përgjigje të pushtimit. (Reuters)