Një “terapist virtual” që kupton emocionet përmes fjalëve
Aplikacioni i zhvilluar nga Elfat Mema funksionon si një ditar digjital i avancuar, ku përdoruesit mund të shkruajnë ndjenjat, përjetimet apo momentet e ditës, dhe AI-ja i kthen ato në një sugjerim muzikor të personalizuar. Në vend që përdoruesi të kërkojë manualisht muzikë sipas gjendjes emocionale, aplikacioni sugjeron automatikisht këngën apo artistin që përkon me humorin e tij.
“Ne shpesh kërkojmë muzikë që reflekton ndjenjat tona. Unë e ktheva këtë koncept përmbys: ti shpreh ndjenjat dhe aplikacioni të sjell muzikën perfekte për momentin tënd,” shpjegon Elfat Mema.
Aplikacioni, i cili është ende në fazën e zhvillimit, përdor algoritme të përpunimit të gjuhës natyrore për të analizuar tekstin dhe për të përcaktuar emocionin pas tij. Më pas, përzgjedh një këngë që përshtatet me gjendjen e përdoruesit, duke sjellë shpesh edhe surpriza—jo gjithmonë një këngë të njohur, por ndonjëherë edhe një stil muzikor të panjohur më parë për përdoruesin.
Si nisi pasioni për teknologjinë?
Elfat Mema nuk është një emër i rastësishëm në botën e teknologjisë. Student i Inxhinierisë Informatike, ai ka qenë i magjepsur nga pajisjet elektronike që në moshën 10-vjeçare. “Kur mora kompjuterin tim të parë në moshën 14 vjeç, nuk u ndala së eksploruari. Zbërtheva çdo komponent, doja të kuptoja se si funksiononte çdo pjesë e tij,” kujton ai.
Kjo pasion e shtyu të përzgjidhte një program studimi në anglisht, për ta pasur sa më të qartë të gjithë terminologjinë teknike. Ai u bë pjesë e klubit studentor “Steve Jobs” në UET, ku filloi të zhvillonte projekte të ndryshme teknologjike. “Më tërheq gjithçka që ka të bëjë me teknologjinë. Sa më e vështirë bëhet një sfidë, aq më shumë më motivon,” thotë ai.
Një seri aplikacionesh inovative
Aplikacioni për zgjedhjen e muzikës sipas ndjenjave nuk është projekti i parë i Elfatit. Ai ka zhvilluar një faqe interneti të quajtur Skrapo-Scraping, e cila krahason çmimet e produkteve të ndryshme në tregun shqiptar duke përdorur teknika të avancuara të web scraping.
Gjithashtu, ai po punon mbi një aplikacion që ndryshon automatikisht wallpaper-in e kompjuterit bazuar në kushtet e motit—një ide inovative që e sjell personalizimin e desktopit në një nivel të ri.
“Janë aplikacione që nuk ekzistojnë ende në treg, kështu që çdo gjë duhet ndërtuar nga zero. Kjo është sfida, por edhe bukuria e teknologjisë,” thekson ai.
E ardhmja: Startup apo eksperiencë në kompani të mëdha?
Pavarësisht sfidave të tregut shqiptar të punës, Elfat ka ambicie të qarta. “Fillimisht dua të fitoj eksperiencë në kompani të mëdha, pastaj ndoshta të zhvilloj një produkt timin,” shprehet ai.
Ndërkohë, ai vazhdon të marrë pjesë në hackathon-e dhe kompeticione teknologjike, duke u renditur shpesh në vendet e para. Pasioni për inovacionin është i pakufishëm, dhe ndoshta shumë shpejt do të dëgjojmë për aplikacionet e tij edhe jashtë Shqipërisë.
“One more thing…”—jo nga Steve Jobs, por nga Elfat Mema!