Korea e Jugut kërcenohet nga Inteligjenca Artificiale

Gjithnjë e më shumë Inteligjenca Artificiale po përparon, duke bërë që njerëzimi të ndihet i rrezikuar. Kujtojmë këtu që pak ditë më parë një robot shtypi për vdekje një person pasi e ngatërroi me një arkë perimesh. Punonjësi ishte duke inspektuar makinerinë, kur krahu robotik e shtyu në rripin transportues, duke i sjellë vdekjen.

Shkrimtari dhe pedagogu Isac Asimov që në vitet 1980 u shpreh se: Një nga rreziqet më të mëdha të Inteligjencës Artificiale, është kërcënimi ndaj vendeve të punës dhe tashmë kjo nuk duket një e ardhme e largët.

Në një studim Banka Qendrore e Koresë së Jugut tregoi se gati katër milionë vende pune në këtë vend, janë në rrezik që të zëvendësohen prej inteligjencës artificiale në dy dekadat e ardhshme. Avancimi i shpejtë i AI-it ka nxitur shqetësim global për humbje të vendeve të punës, rritje të sulmeve kibernetike dhe humbje të kontrollit të sistemeve.

“Punonjësit me paga të larta dhe edukim akademik janë më të ekspozuarit ndaj inteligjencës artificiale dhe rrezikut të zëvendësimit”, theksohet në studim. Arsyeja, siç shpjegohet dhe në studim është se inteligjenca artificiale mund t’i përfundojë shpejt detyrat analitike dhe ato kognitive. Punët më pak të rrezikuara nga ky avancim i teknologjisë janë ato në fushat e fesë, të shërbimeve të ushqimit dhe ligjërimit ndërsa më të rrezikuarat janë: mjekët, avokatët, kontabilistët dhe kimistët.