Twitter zyrtarisht me logo të re, zogu blu zëvendësohet me X!

Elon Musk nuk ka gjetur paqe që kur bleu platformēn teknologjike Twitter. Ai vazhdimisht ka qenë në qendër të diskutimeve për ndryshimet e njëpasnjëshme siç është dhe rasti i fundit që lidhet me logon historike të këtij aplikacioni.

Miliarderi amerikan Elon Musk ka vendosur të ndryshojë logon historike të Twitter. Përdoruesit e platformës i kanë thënë  lamtumirë zogut blu që është zëvendësuar me ikonën e shkronjës “X” në ngjyrë të bardhë, vendosur në një sfond të zi. Obsesionin për këtë shkronjë, Musk e ka treguar edhe në kompaninë tjetër që ai zotëron e cila është Space X.

Musk pyeti më herët miliona ndjekësit e tij nëse ata do të ishin dakord që të ndryshonte logoja e famshme. Që kur Musk bleu Twitter-in në Tetor, kompania ka ndryshuar emrin e saj të biznesit në X Corp, duke reflektuar vizionin e miliarderit për të krijuar një “super aplikacion” si WeChat i Kinës.

Twitter mendohet të ketë rreth 200 milionë përdorues aktivë çdo ditë, por nuk ka performuar mirë ekonomikisht që kur Musk bleu platformën e rrjeteve sociale për 44 miliardë dollarë.

Musk shkarkoi rreth gjysmën e stafit në përpjekje për të ulur kostot. Nga ana tjetër reklamuesit kanë qenë të shqetësuar për moderimin e përmbajtjes, por edhe pasigurinë e përgjithshme për të ardhmen e Twitter.