Por cili është shkaku që mund të çojë në këtë ndërpreje? Will Cathcart thotë se shkak për këtë mund të bëhet projektligji i autoriteteve britanike për sigurinë në internet. E konkretisht është fjala për modalitetin “end to end” për bisedat e enkriptuara, të cilën e aplikon WhatsApp dhe që ka të bëjë me përmbajtjen e mesazheve.
Ky modalitet nënkupton se mesazhet i shikojnë vetëm bashkëbiseduesit, madje edhe vetë rrjeti social nuk ka akses në këto biseda për shkak të funksionalitetit të enkriptuar.
Lidhur me këtë autoritetet britanike po shqyrtojnë mundësinë që në Mbretërinë e Bashkuar enkriptimi i bisedave të mos lejohet në asnjë aplikacion për shkak se mund të ketë përmbajtje të paligjshme të cilat duhet të kalojnë në filtrin e autoriteteve.
Nëse qeveria britanike e detyron rrjetin social që ta heqë këtë modalitet, atëherë WhatsApp do të shqyrtojë mundësinë që të mos ofrojë shërbimin në Mbretërinë e Bashkuar pasi nuk pranon këtë kusht.
WhatsApp mbron politikën e vet për bisedat e enkriptuara duke argumentuar se është e drejtë e përdoruesve që të kenë komunikim privat, të bisedojnë lirshëm dhe të mos jenë “nën skaner”.
Theksojmë se ky aplikacion është ndër më të përdorurit aktualisht në të gjithë globin dhe vazhdimisht sjell risi të cilat bëjnë që përdoruesit të lidhen ngushtë.