Lidhur me këtë skandal Mark Zuckerberg, CEO i Facebook ka vendosur të paguajë 725 milionë dollarë për të zgjidhur padinë që akuzon gjigantin e mediave sociale për lejimin e palëve të treta, përfshirë Cambridge Analytica të ketë qasje në informacionet personale të përdoruesve.
Kompania Meta ka dalë në një deklaratë teksa shkruan: “Kjo është zgjidhja në interesin më të mirë të komunitetit dhe aksionarëve tanë”. Sipas tyre duke marrë në konsideratë marrëveshjen e viteve më parë kjo nuk është diçka e keqe ndërsa nga ana tjetër avokatët e quajtën zgjidhjen e propozuar më të madhen që është arritur ndonjëherë për shkelje të privatësisë.
Cambridge Analytica është zhdukur, por ju kujtojmë se në vitin 2016 punoi për fushatën e suksesshme presidenciale të Donald Trump dhe kishte informacionet personale të miliona njerëzve që kishin llogari në Facebook.
Por si arriti Cambridge Analytica të kishte qasje në llogaritë personale të Facebook?
Cambridge Analytica e mori informacionin personal pa pëlqimin e përdoruesve nga një studiues, i cili ishte lejuar nga Facebook të vendoste një aplikacion në rrjetin e mediave sociale që grumbullonte të dhëna nga miliona përdorues. Asokohe theksojmë se Facebooku filloi të kishte përdorim masiv në mbarë botën.
Ky skandal ka bërë që Mark Zuckerberg, CEO i Meta të merret në pyetje nga ligjvënësit amerikanë.