Në çdo fluturim që kryhet pasagjerëve të bordit u jepen disa këshilla nga stjuardesët dhe siç të gjithë e kemi të fiksuar një prej tyre është fakti që telefonat tanë duhet t’i fikim ose t’i kalojmë në “Airplane mode”. Por tashmë kemi një lajm të mirë, pasi shumë shpejt do mund të flasim në telefon edhe kur të jemi në ajër.
“Qielli nuk është më një kufi kur bëhet fjalë për mundësitë e ofruara nga lidhja super e shpejtë dhe me kapacitet të lartë.” tha Thierry Breton, Komisioneri për Tregun e Brendshëm në një deklaratë. Sipas Komisionit Europian, ky vendim do t’i lejojë linjat ajrore që pasagjerët të kryejnë telefonata dhe mesazhe siç ndodh kur janë në Tokë.
Më tej përgjatë deklartës së tij, Breton theksoi se: “Në linjat ajrore do të përdoret frekuenca specifike 5G për komunikim, ku linjat ajrore do mund të ofrojnë teknologjinë më moderne 5G në avionët e tyre. Nëpërmjet rrjetit të brendshëm Ëi-Fi që ofron linja ajrore, shërbim i cili do të jetë kundrejt një pagese do bëjë të mundur lidhjen me internet, duke përdorur pajisje me valë si celularët, tabletët apo laptopët.
Ky shërbim inovativ në teknologji kundrejt pagesës pritet të vihet në funksion shumë shpejt ndërsa afati i fundit për shtetet anëtare për të vënë në dispozicion teknologjinë 5G për avionët është 30 qershori 2023.
Komisioni i BE-së ka rezervuar disa breza frekuencash për avionët që nga viti 2008, duke lejuar disa shërbime të ofrojnë qasje në internet në ajër.
Kujtojmë se ky shërbim ka qenë historikisht i ngadaltë, pasi mbështetej në pajisje për të lidhur njerëzit nëpërmjet një sateliti midis aeroplanit dhe tokës.
Sistemi i ri do të jetë në gjendje të përfitojë nga shpejtësitë shumë më të shpejta të shkarkimit të ofruara nga 5G, e cila sipas rrjetit celular EE mund të jetë mbi 100 Mbps, duke mundësuar shkarkimin e një filmi në vetëm pak minuta.
Dai Whittingham, shefi ekzekutiv i Komitetit të Sigurisë së Fluturimeve në Mbretërinë e Bashkuar, i tha BBC-së se modaliteti i aeroplanit ishte historikisht i rëndësishëm për shkak të mungesës së njohurive se si pajisjet celulare ndikojnë në avion.
"Kishte një shqetësim se ata mund të ndërhynin në sistemet automatike të kontrollit të fluturimit," tha ai. "Ajo që është gjetur me përvojë është se rreziku i ndërhyrjes është shumë i vogël. Rekomandimi ka qenë gjithmonë që pasi të jeni në fluturim, pajisjet duhet të jenë në modalitetin e aeroplanit."
Ka pasur një shqetësim në SHBA se frekuencat 5G mund të ndërhyjnë me fluturimet dhe madje mund të çojnë në matje të gabuara të lartësisë. Por zoti Whittingham tha se kjo nuk është një çështje në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE. "Ka shumë më pak perspektiva për ndërhyrje," tha ai, "Ne kemi një grup të ndryshëm frekuencash për 5G dhe ka cilësime më të ulëta të energjisë sesa ato që janë lejuar në SHBA.
"Publiku udhëtues dëshiron 5G. Rregullatorët do ta hapin këtë mundësi, por do të ketë hapa që do të ndërmerren për të siguruar që çdo gjë që ata bëjnë është e sigurt."